Thursday, January 28, 2010

2 milionë lekë për përmbytjet në Shkodër



Robert Rogner, çek 2 milionë lekë për përmbytjet në Shkodër

TIRANË – Kontributeve të dhëna nga biznesi dhe organizatat për zonat e përmbytura në Shkodër i është bashkuar edhe pronari i Hotel Rogner Europapark në Tiranë, i cili ka dhënë 2 milionë lekë. Në një prezantim të veçantë, Robert Rogner, i cili është edhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Austri, si dhe bashkëshortja Melitta Rogner, në bashkëpunim me ambasadorin e Urdhrit Sovran të Maltës, Prof. Gunther Granser, dorëzuan dje çekun në vlerën 2 milionë lekë vënë në dispozicion për familjet e dëmtuara nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës. Çeku iu dorëzua presidentit të organizatës humanitare MNSH (Malteser ndihmon në Shqipëri) Monsignor Lucjan Avgustini dhe drejtorit të saj, Maranaj Marku. Që më 14 janar kjo organizatë nisi dërgesën e parë me artikuj të rëndësishëm jetik drejt zonave në nevojë. Me ketë rast, ambasadori Urdhrit Sovran të Maltës, Prof. Gunther Granser falënderoi familjen Rogner për ndihmën e shpejtë, dhënë për viktimat e katastrofës së Shkodrës dhe tha ndër të tjera se, “ishte kjo katastrofë e këtyre përmasave që na mblodhi së bashku me familjen Rogner si në raste të tjera të ngjashme, për të ndihmuar”. Ndërsa Robert Rogner u shpreh se, “sapo u informova se në atdheun tim të dytë ka ndodhur një katastrofë dhe bëra të njëjtën gjë që kam bërë edhe në zonat e prekura nga tërmeti në Armeni, apo nga cunami në Sri Lanka etj. Vendosa pa mëdyshje të jap ndihmën time dhe e bëra menjëherë”, - tha zoti Rogner. “Motoja jonë është se kush ndihmon shpejt, ndihmon dyfish”, - vijoi pronari i hotelit të njohur në kryeqytet. “U lidha me përfaqësuesit zyrtarë të Maltës, sepse ata kanë organizatën e tyre në veri të Shqipërisë që prej vitesh ndihmon popullsinë, dhe dërgova trajlerat me sendet më të nevojshme që u duhen njerëzve që u ka ndodhur kjo fatkeqësi”, - tha zoti Robert Rogner. Ndërsa Monsinnjor Avgustini, gjatë falënderimit të tij, citoi fjalët e Nënë Terezës se, “nuk është e rëndësishme sa jep, por sa dashuri tregon në dhënien e ndihmës”.

Link